UP vazhdon ngritjen në rangimin botëror të Webometrics
Universiteti i Prishtinës ka shënuar ngritjen më të madhe dhe renditjen me të lartë në Webometrics, prejse bëhet matja. Në renditjen e fundit të Webometrics, të përditësuar gjatë muajit korrik, UP-ja është renditur në pozitën e 2606-të në nivel botëror. Webometrics vlerëson dhe rangon mbi 32 mijë institucione të arsimit të lartë nga mbarë bota.
Në këtë mënyrë, UP-ja ka shënuar ngritje për 278 vende nga janari i këtij viti, kur edhe është përditësuar dhe publikuar renditja paraprake e Webometrics. Në një kohështrirje më të gjatë, përkatësisht nga korriku i vitit 2022, UP-ja është ngritur për 420 pozicione më lartë.
Mbi bazë të këtyre rezultateve, përfshirë renditjen e fundit, Universiteti i Prishtinës vazhdon të mbetet institucioni lider i arsimit të lartë në mbarë hapësirën shqiptare.
Sipas Webometrics, në rangimin kontinental, UP-ja është e renditur në mesin e top 800 universiteteve prej 6170 institucioneve të arsimit të lartë nga Evropa, të cilat i nënshtrohen këtij rangimi. Në nivel të Evropës Qendrore dhe Lindore, UP-ja është e renditur në pozitën e 177-të nga 2692 universitete të përfshira në vlerësim.
Webometrics është renditje e institucioneve të arsimit të lartë, e cila realizohet çdo gjashtë muaj nga Cybometrics Lab, që është pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës.