Ukraina i rrëzon disa dronë gjatë një sulmi të ri rus

Ukraina i rrëzon disa dronë gjatë një sulmi të ri rus

Forcat e Armatosura të Ukrainës i rrëzuan pesë dronë gjatë një sulmi me dronë dhe raketa nga Rusia në disa rajone ukrainase mëngjesin e së dielës.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykola Oleshchuk shkroi në Facebook se pesë dronët e prodhimit iranian, Shahed, u rrëzuan në rajonet Herson, Dnipropetrovsk, Kirovohrad dhe Zaporizhja.

Dronët u lëshuan nga një bazë ajrore në rajonin Krasnodar të Rusisë.

Rusia shkrepi gjithashtu edhe dy raketa të telekomanduara, S-300, dhe dy raketa të telekomanduara, Kh-59, thanë zyrtarët ukrainas.

Në anën tjetër, guvernatori i rajonit Belgorod në perëndim të Rusisë, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua e moshuar u vra si pasojë e sulmeve ukrainase me dronë në qytetin Shebekino.

Në shënjestër të sulmeve ukrainase ishin edhe fshatrat Saltykovo dhe Petrovka, sipas Gladkovit, i cili shtoi se një veturë dhe një autobus u dëmtuan, por askush nuk u lëndua.

Radio Evropa e Lirë nuk është në gjendje t’i verifikojë raportimet për luftimet brenda Rusisë.

Në Ukrainë, guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha të dielën se 15 njerëz, përfshirë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ruse një ditë më herët.