Uji me mangan, Tahiri: Qeveria s’po merret me rastin sepse nuk përfitojnë miliona nga ai
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se zyrtarët e qeverisë nuk po reagojnë sa i përket rritjes së manganit në Liqenin e Badocit, gjë që lë lagje të kryeqytetit pa ujë të pijshëm.
“Por kur bëhet fjalë për faljen e borxheve të shfrytëzimit të ujit nga disa kompani të papërgjegjshme, të cilat nuk i kanë kryer detyrimet ndaj shtetit, aty e gjeni praninë e fuqishme të zyrtarëve dhe ministrave të kësaj qeverie”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndër të tjera, ai shton se zyrtarët qeveritar nuk komentojnë këtë temë shkaku se nuk kanë mundësi për përfitime milionëshe.
“Menaxhimi i ujërave të pijshëm në Kosovë është përgjegjësi e Qeverisë. Por, a keni dëgjuar ndonjë zyrtar të qeverisë së Kosovës të merret me këtë çështje? Normalisht që jo, sepse për këtë temë kërkohet kompetencë, dhe nuk ka shumë mundësi për përfitime milionëshe. Kompanive abuzuese të ujit iu falen borxhe mbi 11 milionë euro të njohura deri tani, ndërkohë që dyshohet se kjo shumë shkon mbi 20 milionë euro. Ndërkohë, mbi 150 mijë qytetarë të Prishtinës lihen pa ujë të pijshëm”, shkruan Tahiri.
“Dhe, përderisa qytetarët e Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm për shkak të manganit, ata blejnë ujin nga kompanitë të cilave Qeveria iu ka falur mbi 11 milionë euro borxhe”.