Uji i Liqenit të Badovcit mund të përdoret për pije pas rënies së vlerave të manganit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badovcit mund ta përdorin atë për pije, pas rënies së niveleve të manganit.
Qytetarët e rajonit të Prishtinës që janë furnizuar me ujë të këtij liqeni, nuk kanë mundur të përdorin ujin për pije dhe as gatim, qysh prej 4 tetorit.
“Rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit (e premte, e shtunë, e diel dhe e hënë, 8-12 nëntor) tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes”, është thënë në njoftimin e IKSHPK-së.