UEFA e vlerëson lartë FFK-në për organizimin e seminarit për menaxhimin e futbollit (dokument)
Shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë, UEFA e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë seminarin e mbajtur në Prishtinë, seminar ky i cili ishte për menaxhimin e futbollit.
Federata e Futbollit e Kosovës për herë të dytë ka qenë nikoqire e programit të UEFA-s, CFM (Certificate in Football Management), ku qenë të përfshirë 30 pjesëmarrës, prej të cilëve 20 nga klubet kosovare dhe 10 të tjerë nga federatat e tjera si Malta, Portugalia, Italia, Finlanda, Franca, Izraeli, Greqia dhe Shqipëria.
Ky program i UEFA-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ata që janë të përfshirë në klubet dhe organizatat e futbollit dhe që dëshirojnë të avancojnë nivelin e tyre në menaxhimin dhe performancën në këtë fushë.
UEFA Academy pas përfundimit të këtij programi ka shkruar në faqen e saj: “Urime Federata e Futbollit të Kosovës për organizimin e Certifikatës së parë të UEFA-s në Menaxhimin e Futbollit”.
UEFA Academy ka theksuar se pjesëmarrësit përfunduan me sukses ketë program dhe bashkëpunuan në një simulim të Ligës së Kampionëve prestigjioze të UEFA-s.
“Federata e Futbollit të Kosovës është anëtarja e fundit që i është bashkuar UEFA-s, dhe ne ndihemi jashtëzakonisht krenarë që jemi pjesë e rrugëtimit të tyre arsimor dhe urojmë suksese të vazhdueshme në karrierën e tyre”, shkruan UEFA Academy.