UEFA cakton gjyqtarin e finales mes Spanjës dhe Anglisë në Euro 2024
Komiteti i gjyqtarëve të UEFA-s ka njoftuar se Francois Letexier nga Franca do të gjykojë finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, e cila do të luhet të dielën më 14 korrik në orën 21:00 në Olympiastadion të Berlinit.
35-vjeçari francez, gjyqtar ndërkombëtar që nga viti 2017, ka gjykuar tashmë në 65 ndeshje zyrtare të UEFA-s në karrierën e tij.
Në Euro 2024, ai drejtoi tre ndeshje të fazës së grupeve, duke përfshirë Spanjë-Gjeorgji, Danimarkë-Serbi dhe Kroaci-Shqipëri dhe ishte gjyqtar i katërt në ndeshjen hapëse midis Gjermanisë dhe Skocisë në Mynih.
Sezonin e kaluar, Letexier mori drejtimin e dhjetë ndeshjeve të garave të UEFA-s për klube në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës dhe ishte gjyqtar i katërt në finalen e Ligës së Kampionëve 2024 midis Borussia Dortmund dhe Real Madrid CF në Wembley.
Francezi ishte gjithashtu gjyqtar i Superkupës së UEFA-s në vitin 2023 midis Manchester City dhe Sevilla në Pireus të Greqisë.
Letexier do të shoqërohet në finalen e së dielës nga asistentët francezë, Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni, ndërsa Szymon Marciniak (Poloni) do të jetë gjyqtari i katërt.
Roli i gjyqtarëve në VAR i është caktuar Jerome Brisard (Francë), i ndihmuar nga Willy Delajod (Francë) dhe i mbështetur nga Massimiliano Irrati (Itali). Tomasz Listkiewicz (Poloni) kompleton formacionin si gjyqtar rezervë.