U21/ Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut
Kombëtarja U21 e Kosovës sot ka zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, në kuadër të grumbullimit gjashtë ditor, ku Kosova do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut.
Ky grumbullim do t’i shërbejë përzgjedhësit Afrim Tovërlani për të ndërtuar ekipin me gjeneratën e re të futbollistëve: “Gjenerata është ndërruar, kemi vetëm tre apo katër futbollistë nga grumbullimi i mëparshëm. Kjo është stërvitja e parë dhe takimi i parë me disa prej lojtarëve të rinj. Do të zhvillojmë një lojë mes vete për të marrë më shumë informacione dhe për të kuptuar situatën e secilit prej tyre. Kjo do të na shërbejë për të parë ekipin dhe për të planifikuar përbërjen e skuadrës. Është një mundësi për lojtarët të tregojnë nëse e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës,” theksoi Tovërlani.
Nga ana tjetër, dy ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut do të jenë një test i mirë për futbollistët që në vazhdimësi dëshirojnë ta bartin fanellën dardane: “Ndjehem shumë mirë që kemi këtë mundësi. Grupi është i shkëlqyer dhe loja jonë është mirë e organizuar. Mund të luajmë shpejt dhe të realizojmë pasime të shkurtra, gjë që na ndihmon të zhvillojmë një lojë të shpejtë dhe të strukturuar,” shtoi ndër të tjera Leon Zeqiraj.
Edhe futbollisti Etnik Brruti theksoi rëndësinë e këtyre ndeshjeve: “Këto dy miqësore me Maqedoninë e Veriut janë një test i vlefshëm për ne lojtarët dhe për stafin. Na ndihmojnë për të vlerësuar formën e secilit prej nesh dhe për të përmirësuar lojën për ndeshjet e ardhshme. Ne jemi të fokusuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për të arritur fitore,” shtoi ai.
Të dy ndeshjet do të zhvillohen në kampin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup. E para do të zhvillohet më 14 nëntor në ora 13:00, ndërsa e dyta më 17 nëntor nga ora 12:00.