U16 | Kosova shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

U16 | Kosova shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

Kombëtarja e Kosovës U16 ka vazhduar me paraqitje mbresëlënëse në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, duke shënuar edhe fitoren e dytë radhazi. Të përzgjedhurit e trajnerit Mehmed Kurda mposhtën Andorrën, me rezultat 2:1, në një ndeshje ku dominuan me lojë dhe karakter.

Heroi i kësaj sfide ishte Unejs Mustafa, i cili realizoi të dy golat për Dardanët e rinj. Ai kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 40-të, ndërsa e dyfishoi epërsinë në fillim të pjesës së dytë (48’), kur shënoi edhe golin e dytë personal dhe të ekipit, duke i siguruar Kosovës epërsinë e nevojshme për fitore.

Pas ndeshjes, Mustafa u shpreh i lumtur për golat dhe fitoren: “Jam shumë i lumtur që i kam dhënë dy gola. Është fitorja e dytë me Kombëtaren e Kosovës dhe shpresoj të ecim kështu. Besoj se edhe në ndeshjen e tretë kundër Shqipërisë do të arrijmë sukses”.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Andorra arriti të shënojë një gol për ta ngushtuar rezultatin në 2:1, por pa arritur të rrezikojë seriozisht fitoren e Kosovës.

Trajneri Mehmed Kurda u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe karakterin e treguar nga lojtarët e tij: “Edhe sot djemtë treguan një karakter të fortë. Edhe pse patëm një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë dhe të papërshtatshëm, ia arritëm të fitojmë 2:1. I përgëzoj djemtë për përkushtimin dhe paraqitjen dinjitoze në këtë turne”.

Ndeshjen e fundit në këtë turne zhvillimor, Kosova U16 do ta luajë më 25 prill kundër Shqipërisë, ku synon ta mbyllë me sukses të plotë këtë paraqitje të shkëlqyer.