Tuchel: Jemi të zhgënjyer, gjyqtari Marciniak na kërkoi falje pas ndeshjes
Bayern Munich u eliminua në gjysmëfinalen e Champions League teksa u mposht në Madrid nga Reali me rezultatin 2-1. Në fund, pati polemika të shumta për një gol të anuluar të De Ligt, me anësorin që ngriti flamurin për një pozicion që në dukje ishte shumë i vështirë për t’u dalluar, teksa sistemi VAR nuk mundi të ndërhynte pasi loja ishte ndalur më herët.
Pas sfidës, tekniku i Bayern Munich, Thomas Tuchel theksoi se arbitri kryesor Marciniak kërkoi falje ndërsa shtoi se Reali është shumë i vështirë për t’u mposhtur pasi nuk dorëzohet.
“Jemi shumë të zhgënjyer, por njëkohësisht edhe të inatosur për atë vendim të arbitrave në fundin e ndeshjes. E ndaluan lojën për pozicion jashtë loje, por nuk u duk një pozicion jashtë loje. Të mundësh Realin duhet të fitosh edhe në dushe pasi vetëm fusha nuk mjafton.
Gjithsesi, më vjen keq sepse e pësuam golin e barazimit nga një gabim i lojtarit tonë më të mirë (Neuer), pastaj erdhi ai vendim skandaloz i arbitrave. Marciniak më kërkoi falje, e pranoi se ishte një gabim. Nuk ishte vetëm gabimi i tij, nisi nga anësori që ngriti flamurin pa qenë i sigurt për pozicionin jashtë loje. Ishin dy gabime në një aksion, kishte kaos.
Nga ana tjetër, jam i lumtur për performancën e të besuarve të mi, nuk është e lehtë në Madrid. Në Bernabeu nuk ka nevojë të jesh perfekt, mjafton të jesh shumë i mirë. Ne ishim, por jo deri në fund. Lamë gjithçka në fushë”, u shpreh Tuchel.