Trusti deklaron 3 miliardë euro nën menaxhim
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka bërë të ditur se për herë të parë është arritur vlera e 3 miliardë eurove neto nën menaxhim në fund të gushtit të këtij viti.
Në njoftimin e Trustit thuhet se gjatë periudhës janar-gusht 2024, mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se 300 milionë euro krahasuar me fundvitin e vitit 2023.
“Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth €200 milionë) dhe kthimi nga investimet (rreth €165 milionë). Por njëkohësisht rreth €60 milionë u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”.
“Prej fillimit të operimit të FKPK-së (më 2002), një-miliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur më 2014 ndërsa dy-miliardëshi më 2021”, thuhet në njoftimin e Trustit, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se mjetet që Trusti i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit me 2.34 miliardë dhe kthim nga investimet me 600 milionë.
“Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth €675 milionë nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth €200 milionë nga tërheqja e parakohshme për 10%-shin)”, thuhet në njoftim.