Trumpi e fajëson Zelenskyn për nisjen e luftës me Rusinë

Trumpi e fajëson Zelenskyn për nisjen e luftës me Rusinë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka fajësuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se ndihmoi në nisjen e luftës së vendit të tij kundër Rusisë.

Kjo deklaratë e Trumpit është sugjerim shtesë se gjasat janë të mëdha që ai do ta ndryshojë rrënjësisht politiken amerikane karshi Rusisë, nëse rizgjidhet president më 5 nëntor.

Kandidati republikan për president e ka kritikuar shpesh Zelenskyn gjatë fushatës së tij zgjedhore, duke e quajtur vazhdimisht “shitësi më i zoti në Tokë”, pasi ka kërkuar dhe ka pranuar ndihmë ushtarake nga SHBA-ja në vlerë miliarda dollarë prej se nisi lufta më 2022.

Trumpi e ka kritikuar gjithashtu liderin ukrainas se ka dështuar të kërkojë paqe me Moskën, duke lënë të kuptohet se Ukrainës mund t’i duhet të pranojë t’i falë tokë Rusisë për të bërë marrëveshje paqeje, gjë që Kievi e vlerëson si të papranueshme.

Deklaratat e Trumpit të enjten vonë në PBD Podkast me Patrick Bet-David janë më të ashprat që ai i ka bërë deri tani ndaj liderit ukrainas, shkruan Rel.

Ai tha se Zelensky nuk ka faj vetëm për dështimin për t’i dhënë fund luftës, por edhe sepse ndihmoi në nisjen e saj, pavarësisht se lufta shpërtheu kur Rusia e nisi pushtimin e territorit sovran të Ukrainës.

“Kjo nuk nënkupton se unë nuk dua ta ndihmoj atë, sepse ndihem keq për ata njerëz. Por, ai nuk është dashur të lejonte kurrë që ajo luftë të niste”, tha Trump.