Trump lavdëron Muskun për reduktimin e shpenzimeve qeveritare

Trump lavdëron Muskun për reduktimin e shpenzimeve qeveritare

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka mbrojtur vendimin e tij për t’i dhënë biznesmenit miliarder, Elon Musk, një rol të rëndësishëm në administratën e tij si kreu i Departamentit të Efiçiencës Qeveritare (DOGE), mes kritikave për ngrirjen e financimeve për USAID-in, që ndikoi në programet për ndihmë të huaj në mbarë botën.

Trump kufizoi punën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar kur urdhëroi një ngrirje 90-ditore të shpenzimeve më 24 janar. Ky vendim preku shumë biznese dhe organizata jofitimprurëse në Ukrainë, të cilat tani po përballen me vështirësi. Ai gjithashtu ndikoi në programet e ndihmës për njerëzit në Afganistan.

Ky vendim kishte bërë jehonë edhe në Kosovë, ku USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

Trump dhe Musk e komentuan këtë vendim gjatë intervistës së tyre të parë të përbashkët televizive, e cila u transmetua më 18 shkurt në Fox News, një media konservatore amerikane. Trump tha se mori vendimin për të ngrirë financimin e USAID-it sepse paraardhësi i tij, ish-presidenti Joe Biden, kishte shpenzuar më shumë sesa që duhej, përfshirë ndihmën e huaj që, sipas tij, nuk i shërbente interesave të SHBA-së dhe kishte rritur deficitin, raporton Rel.

Që nga viti 2022, USAID-i ka ofruar miliarda dollarë ndihmë humanitare, mbështetje për zhvillim dhe ndihmë të drejtpërdrejtë buxhetore për Ukrainën. Musk dhe Trump nuk u pyetën për pezullimin e ndihmës për programet në Ukrainë gjatë intervistës ose për përpjekjet diplomatike të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Intervista u përqendrua më shumë te marrëdhënia e Trumpit me Muskun, njeriun më të pasur në botë, dhe arsyet pse ai e zgjodhi atë për të drejtuar DOGE-n.

“Unë njoh shumë biznesmenë dhe ata nuk janë domosdoshmërisht njerëz të mirë”, tha Trumpi. Musk është një person i madh që “dëshiron ta shohë vendin të ecë përpara”, i tha Trumpi intervistuesit të Fox News, Sean Hannity, i cili është mik i presidentit.

Trump tha se DOGE ka luftuar shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet në qeveri, duke kursyer tashmë miliona dollarë për taksapaguesit amerikanë.