Trump kërcënon Kinën me tarifa prej 50 për qind

Trump kërcënon Kinën me tarifa prej 50 për qind

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të hënën se do të vendosë një tarifë shtesë prej 50 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina nëse Pekini nuk i tërheq tarifat hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara.

“Gjithashtu, të gjitha bisedimet me Kinën në lidhje me takimet që ata kanë kërkuar me ne do të ndërpriten! Negociatat me vende të tjera, të cilat gjithashtu kanë kërkuar takime, do të fillojnë menjëherë”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Javën e kaluar, Trump vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze. Këto tarifa janë pjesë e një vendimi më të gjerë, përmes së cilit SHBA-ja ka vendosur tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë.

Më 4 prill, Pekini iu kundërpërgjigj tarifave të reja amerikane, duke vendosur një tarifë shtesë prej 34 për qind ndaj mallrave amerikane, lëvizje që paraqet një përshkallëzim në luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, raporton Rel.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha gjithashtu se do të vendosë më shumë kontrolle mbi eksportet e mineraleve të rralla, të cilat përdorën në produkte të teknologjisë së lartë, si çipat kompjuterikë dhe bateritë e automjeteve elektrike.

Kërcënimi i fundit i Trumpit për tarifat prej 50 për qind trazoi edhe më shumë tregjet financiare globale, të cilat kishin rënë vazhdimisht që prej njoftimit të javës së kaluar nga Trump.

Një tarifë bazë prej 10 për qind hyri në fuqi për të gjitha importet në tregun amerikan të shtunën, dhe tarifat për disa shtete që mund të arrijnë deri në 50 për qind priten të hyjnë në fuqi të mërkurën.