Trump fal të akuzuarit e 6 janarit, mes vendimeve të para pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë

Trump fal të akuzuarit e 6 janarit, mes vendimeve të para pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë

Pak orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të vendosur vulën e tij mbi administratën e re amerikane, në çështje që përfshijnë energjinë, faljet penale dhe imigracionin.

Në mesin e urdhrave të parë ishte një falje e përgjithshme e mbi 1.500 personave të akuzuar për krime në trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Në mesin e atyre që do të përfitojnë nga kjo falje janë edhe të dënuarit për sulme ndaj zyrtarëve policorë, raporton Rel.

Veprimi i Trumpit, vetëm disa orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, hap rrugën për lirimin nga burgu të atyre që janë shpallur fajtorë për sulme të dhunshme ndaj policisë, si dhe drejtuesve të grupeve ekstreme të djathta të dënuar për komplotet e dështuara për të mbajtur në pushtet republikanin pasi humbi zgjedhjet e 2020-tës ndaj ish-presidentit, Joe Biden.

Demokratët kritikuan ashpër vendimin për të përfshirë në falje edhe protestuesit e dhunshëm, krimet e shumë prej të cilëve u kapën në kamera dhe u transmetuan drejtpërdrejt në televizione.