Trump dhe Zelensky takohen para varrimit të Papa Françeskut në Vatikan

Trump dhe Zelensky takohen para varrimit të Papa Françeskut në Vatikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, para funeralit shtetëror të Papa Françeskut në Vatikan të shtunën.

Steven Cheung, drejtori për komunikim në Shtëpinë e Bardhë, tha se Trump dhe Zelensky “u takuan privatisht sot dhe zhvilluan një bisedë shumë frytdhënëse”. Ai shtoi se më shumë hollësi rreth takimit do të bëhen të ditura më vonë.

Sekretari për shtyp i Zelenskyt, Serhiy Nykyforov, gjithashtu konfirmoi se dy presidentët u takuan në Romë para se të merrnin pjesë në varrim, dhe tha më vonë se ata nuk do të takoheshin përsëri në Vatikan për shkak të agjenda të ngarkuara që kanë, shkruan Rel.

“Shpresojmë të kemi rezultate për gjithçka që kemi biseduar. Mbrojtja e jetës së popullit tonë. Një armëpushim i plotë dhe pa kushte. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do ta parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër”, shkroi Zelensky në X, në një postim të ndarë pas ceremonisë së varrimit.

“Një takim shumë simbolik që ka mundësi të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta”, shtoi ai.

Trump dhe Zelensky u takuan gjithashtu me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, gjatë ceremonisë së varrimit. Zyra e Zelenskyt tha se takimi mes katër liderëve “ishte pozitiv”.