Tri ndeshje interesante sot në Superligë, vëmendja në Podujevë
Java e 22-të në Superligën e Kosovës do të mbyllet sot me tri ndeshje, të cilat pritet të jenë mjaft interesante.
Padyshim se vëmendja do të jetë në Podujevë, aty ku do të zhvillohet derbi i kësaj xhiro, mes Llapit dhe Prishtinës.
Llapjanët me një fitore eventuale do të rrëmbenin pozitën e parë në tabelë, që mbahet nga Ballkani me 45 pikë. Llapi ka 43.
Llapi po kalon formë të mirë në stinorin pranveror, pasi ka regjistruar tri fitore në kampionat nga po aq ndeshje të zhvilluara, raporton Express.
Prishtina udhëton drejt Podujevës pas dy ndeshjeve rresht pa fitore. Prishtinasit janë në pozitën e pestë me 30 pikë të grumbulluara.
Skuadra tjetër pretedente për titull, Drita, do të jetë sot nikoqire e Dukagjinit.
Gjilanasit hyjnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve rresht, kurse klinasit pas fitores ndaj Lirisë në mesjavë.
Drita është e treta në tabelë me 40 pikë. Dukagjini është i gjashti me dhjetë pikë më pak.
Sot do të zhvillohet edhe ndeshja mes dy skuadrave të fundit në tabelë, Lirisë dhe Fushë Kosovës.
Këto dy skuadra nuk dinë për fitore që nga viti i kaluar. Liria ka vetëm një fitore këtë sezon, që e kishte shënuar pikërisht ndaj kundërshtarit të sotëm, në shtator të vitit 2023.
Në anën tjetër, “Pampurat” numërojnë dy fitore këtë sezon, që i kishin arritur ndaj Gjilanit dhe Lirisë, të fundit në nëntor të vitit të kaluar.
Liria është në pozitën e fundit (10) me nëntë pikë të grumbulluara, kurse Fushë Kosova e parafundit me 11 pikë.
Të gjitha ndeshjet e sotme janë të parapara të nisin në ora 13:00.