Trepça triumfon në derbi, Peja vazhdon me fitore
Në një super derbi të zhvilluar në kryeqytet me fund dramatik, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 75:78 (22:16, 10:25, 19:16, 24:21).
Sfida u vendos në sekondat e fundit, ku Kevin Capers shënoi dy pikë dhe më pas nga gjuajtja e lirë për fitoren e 15-të radhazi të mitrovicasve në elitë. Takimi u zhvillua në kuadër të javës së 23-të të Prince Caffe Superligës.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, ku për një nuancë ishin më të mirë dhe e fituan çerekun e parë 22:16. Megjithatë, mitrovicasit u rikthyen shpejt për të shkuar në pushim me rezultat 32:41.
Pjesa e dytë ishte dramë e vërtetë e me rikthime. Në minutat e fundit, mysafirët po fitonin me pesë pikë dallim, por Muhamedali Janjeva shënon pesë pikë radhazi për 75:75, kur kishin mbetur edhe dhjetë sekonda lojë.
Por, në sulmin e fundit, Capers i mysafirëve shënoi dhe u ndal në mënyrë të palejuar, duke u treguar i pagabueshëm dhe fitoren e Trepçës 75:78.
Më i miri te vendasit ishte Diamond Stone me 27 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët më të mirët ishin Darnell Edge me 21 pikë e nëntë asistime dhe Capers me 23 pikë.
Prishtinasit kanë 14 fitore e nëntë humbe, kurse mitrovicasit 21 fitore e dy humbje.
Në Gjakovë, Peja ka shënuar fitore ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 101:69 (24:22, 29:14, 20:23, 28:10), në javën e 23-të të Prince Caffe Superligës.
Në fakt, periudha e parë dhe e tretë ishin të barabartë, por dallimi i madh u bë në periodën e dytë, që përfundoi 29:14, derisa kampionët e Kosovës në dhjetë minutat e fundit ngritën epërsinë, për të triumfuar 101:69.
Te pejanët u dalluan Justin Davis me 21 pikë e gjashtë kërcime dhe Arian Qallaku me 16 pikë e pesë kërcime, kurse te prizrenasit Isaiah Kelly me 14 pikë e 13 kërcime dhe Arti Hajdari me 14 pikë e Ty Cockfield me 15.
Peja ka 17 fitore e gjashtë humbje, derisa Proton Cable Prizreni numëron shtatë fitore e 16 humbje.