Trepça shpall gjendje të jashtëzakonshme
Menaxhmenti i ndërmarrjes publike, Trepça, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka vendosur që të pezullojë përkohësisht pushimet vjetore të punëtorëve.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas vendimit të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, vjen me qëllim të “realizimit të planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur gjatë ditëve të grevës”.
Ndërkaq, pushimet vjetore janë pezulluar përkohësisht për muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti.
Punëtorët e ndërmarrjes Trepça hynë në grevë në korrik deri më 14 gusht, për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.
Më 14 gusht, Qeveria e Kosovës ndau 4 milionë euro për pagat e minatorëve të gjigantit metalurgjik Trepça.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se kjo shumë u nda për të tejkaluar krizën aktuale, pasi “ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga prodhimi”.