
Trepça liderja e re e Superligës
Kampionia në fuqi, Trepça, është liderja e re në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të martën mbrëma, në palestrën “Minatori”, e mposhti Borën e Prishtinës me rezultat bindës 90:72.
Kjo ndeshje ishte e mbetur nga xhiroja e pestë e Superligës.
Skuadra nga kryeqyteti ishte vendase, por loja u zhvillua në Mitrovicë.
“Xehetarët” e vendosën ndeshjen në çerekun e tretë, ku bënë shkëputjen e madhe.
Çereku i parë përfundoi 21:16 për Borën, ndërsa pas pjesës së parë rezultati ishte 39:36 për Trepçën.
Çereku i tretë u mbyll 38:11 në të mirë të mitrovicasve, duke e vulosur fitoren, ndërsa çereku i katërt ishte më shumë formalitet.
Ja’cori Payne, i udhëhoqi mitrovicasit me 17 pikë, nëntë asistime dhe katër kërcime, e po ashtu edhe Mikaile Tmushiq po ashtu pati paraqitje të mirë me 14 pikë, pesë kërcime, pesë asistime dhe gjashtë topa të rrëmbyer, ndërsa Drilon Hajrizi shënoi 20 pikë.
Te Bora u dallua Shaquan Jules me 25 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Amin Hot kontribuoi me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.
Prishtinasit kishin një seri prej katër fitoreve radhazi, por kësaj radhe nuk pati gjasa përballë Trepçës.
Me këtë fitore, “Xehëtarët”, aktualisht kanë tet1% fitore e tri humbje duke udhëhequr tabelën me 19 pikë. Bashkimi dhe Peja kanë nga 18 pikë, ndërsa Bora me pesë fitore dhe gjashtë humbje ka 16 pikë dhe renditet në mesin e tabelës.
Superliga vazhdon menjëherë të mërkurën me dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të. Nga ora 18:45 zhvillohen takimet GO+ Peja – Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi – Rahoveci. Të enjten, po nga ora 18:45, luhen ndeshjet Bashkimi – Golden Eagle Ylli dhe Trepça – Bora.
Kështu, dy skuadrat që u përballën të martën do të takohen sërish të enjten, në të njëjtën arenë.
