Trëndafilova refuzon kërkesën e Thaçit për zëvendësimin e gjyqtarit Nicolas Guillou
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçit për zëvendësimin e gjyqtarit Nicolas Guillou si gjyqtar i vetëm në lëndën me numër KSC-BC-2018-01 pas emërimit të tij si gjyqtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
”Presidentja sqaroi se ajo mund të zëvendësojë një gjyqtar vetëm nëse gjyqtari nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij për shkak të angazhimit në një aktivitet apo profesion tjetër. Ky nuk është rasti me gjyqtarin Guillou, tha ajo, pasi ai do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJNP vetëm nga 19 gushti. Deri në atë kohë, ai mbetet në dispozicion për të kryer detyrat e tij në Gjykatën Speciale”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Dhomat Specializuara.
Tutje specifikohet se Trëndafilova hodhi poshtë në mënyrë të përmbledhur kërkesën alternative të Mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtarit Guillou.
‘’Mbrojtja nuk dha asnjë argument se si pozicioni gjyqësor i gjyqtarit Guillou në një gjykatë tjetër, e cila nuk ka juridiksion të mbivendosur me Gjykatën Speciale, mund të ndikojë në pavarësinë e tij’’.