Trendafilova anulon konferencën në Prishtinë pas protestës së veteranëve të UÇK-së

Trendafilova anulon konferencën në Prishtinë pas protestës së veteranëve të UÇK-së

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka anuluar konferencën që ishte planifikuar të mbahej të martën në Prishtinë, pas protestës së zhvilluar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK).

Nga Gjykata Speciale e kanë konfirmuar anulimin e konferencës për arsye të sigurisë.

Disa veteranë të luftës çlirimtare, krahas drejtuesve të OVLUÇK-së, u grumbulluan pranë hotelit ku ishte planifikuar të mbahej konferenca e Trendafilovas.

Ata brohorisnin “UÇK” dhe “Poshtë Gjykata Speciale”.

Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë me dije se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, nuk është e dëshiruar në Kosovë.

Para gazetarëve, ai ka thënë se të martën kanë reaguar për të kundërshtuar vizitën e saj në Kosovës.

Sipas tij, ajo çdo herë i sjell lajme të këqija Kosovës. “Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vjen në Kosovë fare. Ne e dimë se sa herë kjo vjen në Kosovë, vjen për një te keqe dhe një të zezë të Kosovës. Sot ka ardhur më 13 maj pikërisht ditën e themelimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, që për shqiptarët është një ditë famëkeqe. Ka ardhur që të destabilizojë Kosovën. Pjesëtarët e UÇK-së kanë luftuar për drejtësi për ta liruar vendin tonë. Trendafilova nuk është e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës. Ne kemi problem me Prokurori, nuk kemi problem me gjykatë. Kemi problem me Prokurori e cila punon me dosje të Serbisë dhe me dosje të shqiptarëve të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë. Trendafilova e ka anuluar takimin në bazë të informacioneve, ndoshta mund të jetë brenda. Shpresoj dhe besoj që qëllimi ynë është i arritur, kështu që ky është informacioni”, ka thënë Gucati.