Trajneri Silvinjo: Çekia dhe Ukraina janë kundërshtarë të fortë, stadiumi plot na motivon
Pas publikimit të listës së Kombëtares, me emrat e grumbulluar për dy sfidat ndaj Çekisë e Ukrainës të vlefshme për Nations League, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media.
Ai foli për përzgjedhjen e lojtarëve, objektivat e skuadrës për këto dy ndeshje, ndërsa tregoi se si qëndron situata me lojtarët e vijës së sulmit.
Trajneri Silvinjo vlerësoi lojtarët e ardhur nga ekipi U-21, teksa u rikthye edhe njëherë te ndeshja me Çekinë.
I pyetur nga gazetarët nëse motivohet nga stadiumi plot për ndeshjen me Çekkinë, tekniku brazilian u shpreh se kjo është diçka e mrekullueshme.
Lista me 28 lojtarë dhe vendi i parë si objektiv? – Kemi marrë 28 lojtarë, por shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me kartonë të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Vendosëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë “gri”. Jemi vazhdimisht në diskutim. Kemi folur me doktorët, me klubet dhe Stesinën. Duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të kuptojmë akoma më mirë situatën e tyre. Kemi vendosur që t’i thërrasim dhe të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo. Padyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Janë katër Kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, janë të fortë. Gjeorgjia na mundi këtu, ne shkuam atje dhe fituam. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë.
Situata e sulmit? – Një dhimbje kokë për një trajner është gjithmonë e mirë. Çdo trajner dëshiron të ketë hapësirë dhe mundësi për lojtarë të ndryshëm. Ky është një moment i rëndësishëm për Kombëtaren, për vendin. Të kesh një grup të tillë dhe të mbërrish në fund i gjallë është i rëndësishëm. Ukraina ka lojtarë të mirë, Gjeorgjia ka bërë një Europian të mirë dhe Çekia është ekip i fortë është vendi i parë në grup. Në këtë moment Manaj nuk luan prej dy javësh. Ka shënuar dhe është dëmtuar, nuk luan prej 14 ditësh. Bare ka marrë një goditje në gju dhe nuk luan prej 13 ditësh. Ne sa më shumë lojtarë të fortë të kemi, na jep shtysë të shkojmë para. Muçi është në një moment të mirë, ka shënuar në tre ndeshje radhazi, jam i lumtur për të dhe për të tjerë, Bajrami po bën shumë mirë te Rangers.
Muçin një muaj më parë e kam vizituar, askush nuk e di, nuk ishte moment i mirë për të. Kjo është puna, të dalim e të shohim, t’i takojmë, të pimë kafe, ta dëgjojmë, ta përqafojmë. Janë momente të vështira. Një transferim si i Muçit është i vështirë se ndryshojnë shumë gjëra, gjuha, zakonet. Për mua dhimbja e kokës është shumë e mirë, sa më shumë lojtarë në formë të kemi, aq më mirë.
Kundërshtarët? – Duhet të kemi parasysh kundërshtarët që pësojnë pak. Gjeorgjia është një skuadër e fortë taktikisht, ashtu si Çekia dhe Ukraina. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm në dy vitet e fundit. Ju rikujtoj që edhe ne jemi pak a shumë si ata njësoj, por edhe ne si ekip nuk pësojmë shumë gola. Nuk janë kundërshtarë që në 15 minutat e para tju shënojmë 2 gola. Është e rëndësishme të qëndrojmë në garë dhe kjo na motivon. Kemi pasur punë të vështirë dhe nuk është e lehtë të marrim 6 pikë deri tani. Duhet t’i falënderoj lojtarët dhe stafin, duhet të përmirësohemi, na presin dy kundërshtarë dhe ndeshje të vështira.
Çekina? – A ka qenë e lehtë për Çekinë ndaj nesh? Jo! A ka qenë e lehtë për ne të luajmë kundër tyre? Jo! Ajo që dua të them është se ndoshta ne se kemi kuptuar që të luash me Çekinë është e vështirë. Kanë lojtarë të fortë. Tani njerëzit e dinë kush është Bajrami. Para një viti, kush e dinte kush ishte Mario Mitaj? Asllani tani njihet. Ramadani, i fortë. Tashmë na njohin, kanë filluar të studiojnë Shqipërinë. Jemi përmirësuar shumë. Të luash në Pragë ndaj Çekisë është e vështirë. Për ne është krenari që jemi gjallë nga këto ndeshje dhe jemi përballur me Çekinë që nga ana tjetër thotë se Shqipëria është një ekip i ashpër, ka lojtarë si Bajrami etj. Ata kanë bërë një ndryshim të trajnerit, është një skuadër fizikisht e fortë. Chory është lojtar i fortë me topin në këmbë, shumë i fortë, e vështirë të luash kundër tij. Më pas, Sulc, ka shënuar ndaj Ukrainës, mesfushor qendre, trekuartist, luan edhe si sulmues anësor. Provod nga njëra anë, Cerny nga ana tjetër, të dy sulmues anësorë të gjatë, të fortë, të vështirë për t’u përballur. Ne duhet të zhvillojmë një ndeshje të mirë nëse duam të fitojmë. Jemi krenarë që jemi pothuajse të barabartë me Çekinë, që tashmë dikush atje thotë se ndeshja me Shqipërinë është e vështirë. Në Europian na kanë uruar për punën tonë, të lojtarëve, të Federatës. Skuadër e bukur, e organizuar, pyesnin ku i kemi gjetur këta lojtarë. Humbëm me Spanjën, ama në atë grup ishim në lojë deri në momentin e fundit për të ecur më tej. Është një rrugëtim, nuk mund të themi që shkojmë nesër në Wembley dhe mundim Anglinë 4-0. Duhet të ecim para. Për sa i përket ndeshjes në shtëpi, nuk mendoj se ishte fat, kemi bërë ndeshje të bukur. Fusha është ajo që vendos. Njëherë hyn topi, njëherë jo. Është e vështirë, por kemi bërë një rrugëtim të rëndësishëm dhe duhet të përmirësohemi akoma.