Themelet e së ardhmes, të bashkuar i arrijmë qëllimet e përbashkëta
Shkruan: Fekmi Kongjeli
Themelet e së ardhmes, një strategji e cila do të na shërbejë të gjithë opinionit që të ardhmen e futbollit të Kosovës ta shohim me një sy pozitiv dhe me një përkrahje të sinqertë që vërtet futbolli të na përfaqëson me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
A nuk u mjaftuam deri më tani që nga ardhja në krye të FFK-së të Agim Ademit, individ të caktuar për interesa krejt të ngushta duke penguar me mënyra të llojllojshme me të pavërteta e që u dashtë plot 6 vite që të gjitha të demantohen dhe të themi të krijohet një paqe në zhvillimin e futbollit për të ardhmen.
Të jemi të sinqertë dhe të shohim realitetin në sy me të gjitha këto pengesa, në të shumtën e rasteve, duke e atakuar edhe me gjëra personale, ky njeri nuk u ndal asnjëherë por punoi me përkushtim, duke krijuar mirëqenie dhe paqe për futbollin në përgjithësi. Mjafton t’i referohemi kuvendit të fundit të FFK-së dhe argumenteve për të arriturat dhe sukseset e FFK-së të prezantuara nga përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s, dhe mbështetja për të ardhmen. Kjo mirënjohje dhe ky respekt i dy shtëpive të futbollit, të cilat janë edhe financuesit kryesor të FFK-së vërtet duhet të na gëzoi dhe të jemi mirënjohës për menaxhim dhe raporte të shkëlqyeshme me këto dy shtëpi.
Mirëqenia për futbollin do të ishte dyfish më e madhe sikur mos të ekzistonin këto pengesa të shpifura e që për dëmin e shkaktuar dikush do të duhej të merr përgjegjësi. Kur kësaj t’i shtohet edhe pandemia Covid, e cila lëvizi edhe themelet e shteteve më të fuqishme në botë!!! Kosova u pranua para veç afër 8 viteve në UEFA e FIFA, Kosova doli nga okupimi dhe lufta e vrarë dhe e djegur…Entuziazmi dhe dëshirat janë të pa kufi…mundësitë duhet projektuar me strategji!E kaluara të na shërbejë si pretekst dhe motiv për të arritur të ardhmen. Potenciali ekziston, përvoja po ashtu…Përkrahja e UEFA-s dhe FIFA-s së bashku me MKRS dhe Komunat, Diaspora së bashku me Unionin e bizneseve Shqiptaro Gjermane dhe DFB-në si gjithmonë në përkrahje të fuqishme.
Kombëtares së Kosovës i duhet tani e tutje përkrahje e sinqertë nga të gjithë ne, se duam të arrijmë aty ku të gjithë dëshirojmë! Duke përkrahur kombëtaren në mënyrë të sinqertë përkrahim shtetin tonë Kosovën dhe mirëqenien e të gjithë popullit tonë. Pse jo edhe të kritikojmë kur ka vend për kritikë. Por kritikojmë në mënyrë konstruktive dhe për avancimin e futbollit. Gjithmonë ka vend për kritikë dhe avancim, por jo të akuzojmë me tendencë dhe për interesa klanore e personale! Vetëm të bashkuar e zhveshur nga urrejtja dhe xhelozia arrijmë qëllimet tona të përbashkëta.