Tërnava po qëndron për vizitë në Xhide të Arabisë Saudite

Tërnava po qëndron për vizitë në Xhide të Arabisë Saudite

Me ftesë të ministrit të Ministrisë së Haxhit dhe të Umres së Arabisë Saudite, dr. Tevfik Rabiah, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë në Xhide të Arabisë Saudite.

Myftiu Tërnava u prit në takim nga ministri Rabiah, ku nënshkruan marrëveshjen e Haxhit për vitin 2024, me të cilën rregullohet shkuarja e besimtarëve kosovarë për ta kryer haxhin.

Në këtë takim, Myftiu Tërnava, falënderoi autoritetet e Arabisë Saudite për lehtësimin e procedurave administrative për besimtarët e Kosovës, e të cilat ofrojnë kushte më të mira për akomodimin, si dhe kujdes shëndetësor më cilësor për haxhi.

Gjithashtu Myftiu Tërnava, falënderoi ministrin për lehtësimet dhe kushtet e ofruara për vizitorët, të cilët gjatë vitit vizitojnë Arabinë Saudite për ta kryer umren.

Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e plotë që ky bashkëpunim i frytshëm ndërmhet dy institucioneve të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq ministri Rabiah, shprehu fjalë miradije për organizatorët e Haxhit kosovarë – Bashkësinë Islame të Kosovës, si organizatorët me traditë dhe si të vetmit institucion zyrtar në Kosovë.

Ai tha se haxhitë nga Kosova janë gjithnjë të mirëseardhur në vendin e dy faltoreve të shenjta.

Gjatë ditëve në vijim, Myftiu Tërnava, do të ketë edhe takime të tjera me institucionet relevante të organizmit të Haxhit, për lehtësimin e procedurave të nevojshme për besimtarët tanë në Meke, Xhide dhe në Medine.

Në shoqërim të Myftiut Tërnava janë kryeimami Vedat ef. Sahiti, shefi i kabinetit të Myftiut, Besim ef. Mehmeti, zv.kryeimami Fatmir ef. Iljazi dhe Fatlum Podvorica.