Tërnava i ashpër me Lëvizjet anti-islame: Po e prishin harmoninë dhe bashkëjetesën fetare
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka thënë lëvizjet me fushata tendencioze që atakojnë vlerat fetare dhe kombëtare po prishin harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vend.
Tërnava këto deklarime i ka bërë në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Bashkësisë Islame.
“Në këtë mbledhje Kryesia diskutoi për situatën aktuale, sidomos për paraqitjen e disa lëvizjeve me fushata tendencioze, që atakojnë vlerat tona fetare dhe kombëtare, e të cilat po sulmojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, vlerë kjo e kombit shqiptar, e njohur botërisht. Myftiu Tërnava me këtë rast tha se këto paraqitje me këtë gjuhë të urrejtjes po prishin harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare”, thuhet në komunikatë.
“Këtu u potencua edhe roli destruktiv i disa mediave dhe portaleve të caktuara, të cilat po u japin hapësirë mediatike individëve tendenciozë dhe injorantë”, thuhet tutje.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në medresenë e mesme “Alauddin” dhe në Fakultetin e Studimeve Islame.
Më pas Kryesia diskutoi edhe lëndë të tjera dhe mori vendime në bazë të kompetencave që i takojnë.