Tensione në seancën e Kuvendit të Prishtinës, Rama akuzon opozitën se po mashtron qytetarët
Kuvendi i Prishtinës është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku të pranishëm në seancë janë edhe disa banorë, të cilët po shprehin pakënaqësitë e tyre për planin rregullues të lagjes “Kalabria”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në fjalimin e tij tha se është i gatshëm për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për lagjen “Kalabria”, transmeton Telegrafi.
Rama bëri të ditur se bëhet fjalë për një ndryshim për 60 mijë banorë.
Gjithashtu, Rama tha ai është kundër betonizimit që ka ndodhur që 25 vjet.
“Është nevoja për çerdhe, shkolla e hapësira gjelbëruese”, potencoi ai.
Kryetari i Prishtinës, akuzoi opozitën se po mashtron banorët lidhur me këtë plan.
“Mos bëni politika me njerëz, ne duam me i mbrojt qytetarët. Ju po i mashtroni qytetarët, ne po punojmë. Ne kemi një mision që ju po mundoheni me sabotu”, theksoi ai.
Sipas Ramës, opozita po bën politikë amatoreske duke gënjyer qytetarët.
“Ne sot vendosim që të bëjmë një seancë të jashtëzakonshme për lagjen ‘Kalabria’. Për dyshime çoni në prokurori e gjykata”, tha mes tjerash ai.