Temperaturat e larta në Kosovë, këshillohet për shmangie të pikut të ditës

Temperaturat e larta në Kosovë, këshillohet për shmangie të pikut të ditës

Në këto ditë vape, mjekët u sugjerojnë qytetarëve kujdes të shtuar, sidomos në pikun e ditës.

Specialisti në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli, në intervistë për eo, vuri në dukje se pas një maji të ftohtë, ngritja e menjëhershme e temperaturave në qershor ka shkaktuar vështirësi në përshtatjen e qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.

“Kaluam prej një periudhe që e kishim me temperatura shumë të ulëta. Maji ka qenë me temperatura të ulëta, pastaj në qershor përnjëherë temperaturat u ngritën. Ka pasur vështirësi në përshtatjen e njerëzve me këto temperatura dhe menjëherë shohim se disa persona vetëm se janë djegur. Ajo çka duhet të bëjnë kujdes është që në radhë të parë të shmangin pikun e ditës nga ora 10:00 deri 17:00, sepse në këtë kohë temperaturat janë të larta,. Mund të shkaktohet dehidrim, djegie e lëkurës, që është rrezik për kancerin e lëkurës”, tha Ismajli.

Ismajli rekomandoi konsumimin e të së paku dy litrave ujë në ditë dhe një dietë të shëndetshme me pemë dhe perime të freskëta.

“Ajo çka do t’i këshilloj qytetarët, të gjitha grupmoshat, veçanërisht gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, që përpos të mos dalin në mesin e ditës, të konsumojnë sasinë e mjaftueshme të ujit, së paku dy litra në ditë Pritet që temperaturat të rriten. Ajo çka ne rekomandojmë është që të kujdesen që të shmangin temperaturat e larta. Kemi pasur raste, por i kemi menaxhuar dhe i kemi këshilluar të mbajnë veshje me ngjyra të hapura dhe të lehta si dhe të mbajnë kapela”, shtoi ai.

Ismajli vë theksin edhe te dieta.

“Dieta është shumë e rëndësishme. Kryesisht duhet të jetë një dietë e shëndetshme dhe të hanë ushqime të freskëta: pemë dhe perime. Perimet të lahen në ujë të rrjedhshëm. E njëjta gjë edhe me pemët. Të mos konsumojnë sasi të tepërta të kripës, të yndyrës, sheqerit, po ashtu edhe brumërat. Të mos hanë aty ku ka ushqime të shpejta, sandviça, hamburgerë, qebapa etj”, tha ai.