Java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga mot fillimisht shumë i nxehtë, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, dita e hënë (29.06.2026) do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pjesërishme. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15 dhe 18°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 38°C, duke e bërë këtë ditën më të nxehtë të javës. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.
E martë (30.06.2026) parashihet mot i vranët me intervale me diell. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të jenë 15–18°C, ndërsa maksimalet 32–35°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–10 m/s.
E mërkurë (01.07.2026) do të mbajë mot të ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe erërave të përkohshme më të fuqishme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18°C, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34°C. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–9 m/s.
E enjte (02.07.2026) pritet mot kryesisht me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites mund të ketë reshje të izoluara në disa zona. Temperaturat minimale do të jenë 14–18°C, ndërsa maksimalet do të zbresin dukshëm në 24–27°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–6 m/s.
E premte (03.07.2026) do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Në disa zona të izoluara vranësirat mund të sjellin reshje të shkurtra lokale. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16°C, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 28°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.

