
Telegram ngushëllimi i presidentit të FFK-së për ndarjen nga jeta të Ejup Mehmetit Kapiti
E nderuara Familje Mehmeti Kapiti!
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Ejup Mehmeti –Kapiti, andaj në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Ejupi ishte një figurë e veçantë dhe me peshë të madhe në historinë e futbollit tonë. Si futbollist i KF Prishtina në një periudhë kur ky klub po e shkruante lavdinë në Ligën e Dytë të ish-federatës, dhe më pas si trajner e mentor i gjeneratave të tëra, ai dha një kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e futbollit tonë.
Përkushtimi i tij për futbollin, qasja profesionale dhe puna e palodhshme në ndërtimin e ekipeve dhe talenteve të reja, do të kujtohen gjithmonë me respekt. Ai mbetet një nga personalitetet më të përkushtuara të futbollit kosovar, që me dije, përvojë dhe pasion, frymëzoi e ndihmoi shumë të rinj në rrugëtimin e tyre sportiv.
Në këto momente të dhimbjes, jemi pranë jush për ta përballuar këtë humbje të madhe, që është njëherësh edhe humbje për tërë futbollin e Kosovës.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Ejup Mehmetin Kapitin!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së