
Të paktën 90 të vdekur nga uragani Helene në SHBA
Të patën 90 persona kanë vdekur nga uragani Helene që ka goditur pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet po vazhdojnë operacionet e kërkimit të trupave të tjerë, teksa uragani Helene ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë shkatërrimin e rrugëve dhe urave dhe vërshime nga Florida deri në Virxhinia, shkruan Rel.
Stuhia është karakterizuar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu dhe ka goditur Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesinë dhe Virxhinian.
Zyrtarët kanë thënë se druajnë se do të gjejnë trupa të tjerë të pajetë.
Rrjeti i komunikimit është dëmtuar në shumë zona dhe qindra njerëz ende nuk kanë mundur të kontaktojnë familjarët e tyre, të cilët i kanë regjistruar si të zhdukur.
Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 miliardë dollarë deri në mbi 100 miliardë dollarë, teksa autoritetet thanë se linjat e rëndësishme të komunikimit dhe ato të transportit janë dëmtuar. Megjithatë, autoritetet thanë se vlera reale e dëmeve do të dihet pasi autoritetet të pastrojnë zonat e prekura dhe të vlerësojnë dëmet.
Në Karolinën e Veriut, pothuajse të gjitha viktimat janë regjistruar në qarkun Bunkombe, ku vdiqën 30 persona, sipas autoriteteve.