
Të paktën 28 turistë u vranë në sulmin në Kashmir
Të paktën 28 turistë janë vrarë pasi militantët hapën zjarr në një destinacion popullor turistik në Kashmir të Indisë në mes të një vizite në vend nga nënpresidenti amerikan, JD Vance.
Siç shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv, sulmi ndodhi në Luginën Baisaran, një qytet i njohur turistik, në atë që zyrtarët po e përshkruajnë si sulmin më vdekjeprurës ndaj civilëve në rajon në vitet e fundit.
Sulmi ndodhi rreth orës 15:00 sipas kohës lokale, kur një grup personash të armatosur, të cilët me sa duket iu afruan turistëve nga drejtimi i maleve aty pranë, dolën nga një pyll i dendur.
Videot grafike të shpërndara nga vendasit në mediat sociale tregonin turistët e plagosur të shtrirë në pellgje gjaku, ndërsa të afërmit e tyre bërtisnin dhe luteshin për ndihmë. Për shkak të mungesës së aksesit rrugor në zonë, shërbimet e helikopterëve u vendosën për evakuimin e të plagosurve.
Duke përshkruar skenën, një udhërrëfyes vendas i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai arriti në vendngjarje pasi dëgjoi të shtëna me armë zjarri dhe i transportoi disa nga të plagosurit me kalë.
Zyrtarët qeveritarë thanë se mes të vdekurve ishin turistë nga shtetet indiane të Karnataka, Odisha dhe Gujarat dhe dy shtetas të huaj. Të paktën gjashtë të tjerë u plagosën. /Klankosova.tv