Të dyshuarit për vrasjen e Liridonës janë vendosur në katër institucione të ndryshme

Të dyshuarit për vrasjen e Liridonës janë vendosur në katër institucione të ndryshme

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se katër të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt po qëndrojnë në katër institucione të ndryshme korrektuese. Ai mohon se të njëjtit kanë pasur mundësi të komunikojnë mes vete gjatë qëndrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Pas caktimit të masës së paraburgimit për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën, u raportua se të njëjtit gjatë shëtitjeve po qëndrojnë së bashku.

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibranit bën të ditur se bashkë me Prokurorin e Shtetit, kanë vendosur që të shpërndajnë të njëjtit në institucione të ndryshme.

“Në asnjë rrethanë, në asnjë moment, personat që janë të njëjtës vepër nuk vendosen në të njëjtën dhomë. Mund të vendosen në të njëjtin burg por natyrisht edhe rutinat edhe shëtitjet duhet të organizohen në mënyrë që ata mos të kenë kontakt njëri me tjetrin. Njëjtë, për shkak të situatës së rëndë dhe debatit që është zhvilluar pothuajse në të gjitha mediat në Kosovë, ne fillimisht i kemi vendosur sepse vepra e tyre ka qenë e rëndë dhe është dashur që ata të vendosën në Burgun e Sigurisë së Lartë. Si rezultat i kësaj ata vlerësohen me rrezikshmëri shumë të lartë deri në takimin e komisionit për kategorizim, komision i cili vendos për të ardhmen se si ata do të trajtohen. Por duke marrë parasysh debatin që është zhvilluar në opinion dhe rasti tashmë kishte marrë përmasat edhe jashtë Kosovës, ne është dashur në konsultim me Prokurorin e Shtetit që t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, deklaron ai.

Edhe personi i katërt, i cili dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën, Dibrani shton se është dërguar në burg tjetër.

“Në katër institucione të ndryshme, në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Burgun e Prishtinës, në Qendrat e Paraburgimit në Gjilan dhe në Qendrën e Paraburgimit në Pejë”, janë vendosur katër të dyshuarit, shtoi Dibrani.

Ai thotë se personat të cilët akuzohen për të njëjtin vepër nuk kanë mundësi kontakti me njëri-tjetrin.

“Në asnjë moment ata nuk kanë qëndruar në një dhomë, në asnjë moment ata nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë shëtitje të përbashkëta por për të qenë më të sigurt dhe për të pasur mundësi as stafi të përcjell ndonjë mesazh tek njëri-tjetri, edhe pse këto nuk ndodhin, por për t’u siguruar, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ne kemi vendosur që këta persona të t’i ndajmë në institucione… Jo vetëm këta persona, por secilin person që vjen në grup dhe është i së njëjtës vepër, ata shpërndahen në institucione të ndryshme apo në të njëjtën institucion por që nuk kanë mundësi kontakti me njëri-tjetrin”, përfundoi ai.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës.