
Tatimi në pronë e paralajmërimi për shtrenjtimin e rrymës, reagon Asociacioni i Komunave
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar lidhur me paralajmërimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se po rëndohet buxheti i qytetarëve.
Bordi i AAK-së thekson në kohën kur qytetarët dhe bizneset po përballen me sfida të shumta ekonomike, duke përfshirë edhe inflacionin, paralajmërimi për një tjetër shtrenjtim të energjisë elektrike paraqet një barrë shtesë për familjet kosovare si dhe për sektorin privat.
“Ky vendim vjen pas rritjes së tatimit në pronë, pas ri-vlerësimit të pronës që është bërë nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, ka rënduar buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve që ka ndikuar edhe në ekonominë lokale në Komunat e Kosovës.
Për më tepër, ka filluar edhe zbatimi i tatimi në tokën bujqësore, duke krijuar një tjetër sfidë për fermerët dhe sektorin agro-industrial, të cilët janë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.
Sipas bordit të AKK-së, kombinimi i këtyre tre faktorëve – rritja e çmimit të energjisë, rritja e tatimit në pronë dhe tatimi mbi tokën bujqësore, do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve, duke rritur koston e jetesës dhe duke vështirësuar zhvillimin e bizneseve që ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik lokal.
“Kjo qasje e vazhdueshme e ngarkimit të qytetarëve me tatime të reja dhe tarifa të rritura në mënyrë periodike kërkon një koordinim ndërinstitucional por dhe qasje më të balancuar, me qëllim që të mos dëmtohet edhe më tutje stabiliteti ekonomik dhe të ruhet mirëqenia e përgjithshme ekonomike e vendit dhe vetë pushtetit lokal”, thuhet në reagim.