
Takim trepalësh në Tiranë për bashkëpunimin në zhvillimin e volejbollit
Në Tiranë është mbajtur një takim i rëndësishëm mes drejtuesve të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV) dhe Federatës Italiane të Volejbollit (FIPAV), me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në zhvillimin e volejbollit në të gjitha nivelet.
Federata e Volejbollit e Kosovës u përfaqësua nga presidenti Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi, të cilët po qëndrojnë në Shqipëri në kuadër të aktiviteteve zyrtare që shënojnë 80-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Nga Federata Shqiptare e Volejbollit morën pjesë nënpresidenti Dashamir Brari dhe sekretari i përgjithshëm Ervin Dosti, ndërsa delegacioni i Federatës Italiane të Volejbollit (FIPAV) përbëhej nga presidenti Giuseppe Manfredi, sekretari Stefano Bellotti dhe drejtori teknik i ekipeve kombëtare, Libenzio Conti.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i gjerë dhe konstruktiv mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet federatave, me fokus të veçantë zhvillimin e ekipeve kombëtare dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të stafit teknik.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte organizimi i kampeve të përbashkëta stërvitore për ekipet kombëtare, të cilat do t’u mundësonin sportistëve dhe trajnerëve shkëmbim përvojash dhe rritje të nivelit konkurrues.
Po ashtu, palët u pajtuan për rëndësinë e organizimit të seminareve të specializuara për trajnerët kondicionalë, me qëllim përmirësimin e përgatitjes fizike dhe aplikimin e metodologjive bashkëkohore të stërvitjes.
Në këtë frymë, u diskutua edhe organizimi i seminareve të veçanta për trajnerët e shkollave të volejbollit, duke synuar ndërtimin e një baze të fortë që nga moshat e reja dhe standardizimin e punës me talentët e rinj.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i takimit ishte mundësia e vizitave dhe qëndrimeve profesionale të trajnerëve nga Kosova dhe Shqipëria në kampet stërvitore në Itali.
Takimi në Tiranë u vlerësua si një hap domethënës drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.
