Tahiri: Llapi nuk e duron izolimin, fyerjen e vlerave e kufizimin e lirisë – t’ju themi jo njerëzve të paditur
AAK me partnerët e saj të koalicionit po mbajnë takim me qytetarët e Llapit në Podujevë.
Atje, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se Llapi i Zahir Pajazitit, Adem Demaçit, Ali Ajetit e Fadil Vokrrit nuk e duron e as nuk e pranon fyerjen e vlerave çlirimtare, izolimin e Kosovës e kufizimin e lirisë së vendit, transmeton Klankosova.tv.
“Të dashur llapjanë, sot jemi bashkë këtu për një fitore të madhe më 9 shkurt. Llapi i Zahir Pajazitit, që bashkë me bashkëkohësit e tij, kryekomandantin legjendar, Adem Jasharin, Shkëlzen e Luan Haradinaj dhe mijëra heronj të tjerë të gjallë, të rënë për lirinë tonë, nuk duron fyerjen e vlerave çlirimtare të ushtrisë tonë çlirimtare”.
“Llapi dhe llapjanët e Adem Demaçit, e Ali Ajetit, që nuk njohën frikën as në burg, e as në liri, nuk pranon regjimin që kufizon liritë tona”, tha Tahiri.
“Llapi i Fadil Vokrrit, që nuk la derë pa trokitur për të futur Kosovën në arenën ndërkombëtare të futbollit, nuk pranon askënd që me teke e me injorancë na i mbyll dyert dhe na e izolon Kosovën”.
“Llapi është zemërgjerë. Të jep mundësi. Por po ashtu dinë me të thënë stop kur dikush e tepron”.
Tahiri shton se Kosova meriton lidership të mençur, dhe se koha për të ju thënë jo njerëzve të pazotë ka ardhur.
“Kosova sot e meriton një lidership që guxon. Pra një lidership të mençur, që me përkrahjen e miqve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës di të marr vendime me peshë historike”.
“Mashtruesit nuk kanë dyer për të duartrokitur, nuk hapin rrugë të reja sepse nuk dinë të ecin përpara, dinë vetëm të mashtrojnë”, tha deputeti.
“Mos harroni se jemi duke u qeverisur me njerëz të paditur, me njerëz që nuk janë të zotë me udhëheq. Më 9 shkurt këta njerëz duhet ta hapin rrugën. Ka ardhur koha që t’ju themi jo njerëzve të paditur, pazotë e injorantë”.