Tahiri: Kurti po i mban peng opozitën dhe Limajn

Tahiri: Kurti po i mban peng opozitën dhe Limajn

Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për bllokadën në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke mos zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Tahiri  tha se problemi thelbësor është që opozita nuk po ka qëndrim politik, dhe se Kurti “po e mban të varur opozitën dhe Limajn”.

“Problemi thelbësor është, e para nuk ka një qëndrim politik të opozitës se çka dëshiron me bë. Në mungesë të një qëndrimi politik, ne jemi ndalë në interpretim juridik. Në një anë Kurti e mban të varur opozitën dhe anën tjetër e mbanë varur Limajn”, tha Tahiri, për RTV21.

Ai tha se Adem Hoxha, Duda Balje kanë shprehur interesim për themelimin e Grupit parlamentar të AAK-së.

“AAK-ja ka garuar në një koalicion të gjerë. Askush s’ka besuar se i marrim tetë deputetë. Prej tyre tre i ka marrë Nisma. Neve na është dashtë me themelu grupin parlamentar. Kemi bërë një thirrje kush ka interes me na u bashku në këtë grup. Kanë shpreh interesim Adem Hoxha dhe Duda Balje”, tha Tahiri.

Ai tha se Vetëvendosje nuk ka kërkuar asnjëherë nga opozita të ndryshojë qëndrim, dhe kjo është një përpjekje për të viktimizuar kryeministrin Albin Kurti.

“Kurti po përpiqet të shfrytëzojë situatën për të thënë ‘nuk më lënë’, por ky bllokim nuk është në interes të Kosovës”, tha Tahiri.

Po ashtu, ai shtoi se AAK nuk ka pranuar ftesën nga VV për një takim konsultativ dhe se në rast se do të ftohet, përgjigjja e AAK-së do të mbetet “jo”.