Tahiri: Kjo qeveri ka dështuar, besimi i qytetarëve është tradhtuar

Tahiri: Kjo qeveri ka dështuar, besimi i qytetarëve është tradhtuar

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka dështuar në të gjithë sektorët, duke e tradhtuar kështu besimin e qytetarëve.

Në konferencën për media, ai ka shpërfaqur disa nga dështimet më spektakolare që kjo qeveri i ka në planin dhe programin e vet legjislativ.

“Programi legjislativ është letërnjoftimi i secilës qeveri, andaj në këtë dokument shohim dështimin kolosal të kësaj qeverie. Programi “Krejt dhe Drejt”? i kësaj qeverie është dështimi më i madh në histori të Kosovës. Asnjë ligj i cili lidhet me politikat e programit “Krejt dhe Drejt” nuk është përfunduar dhe i kanë shkelur të gjitha afatet e veta. Në zbatimin e programit legjislativ për vitin 2024, në periudhën kohore janar-qershor, janë paraparë 54 ligje: • Prej tyre kemi vetëm 6 ligje të miratuara, apo 11.11% të programit; • Projektligje të miratuara në leximin e parë kemi tri ligje apo 5.5% të programit; • Projektligje në procedura në Kuvend është një ligj apo 1.85% e programit; • Projektligje që nuk kanë nisur me procedura në Kuvend 44 ligje apo 81.48% e programit”, ka theksuar ai.

Për të shtua tutje se këto të dhëna tregojnë për një normë e cila në histori politike dhe qeverisëse do të mbahet në mend si normë e mashtrimit përmes dokumenteve.

“Pra, ky është mashtrim me letra: në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, në aspektin që ndërlidhet me punë dhe mirëqenie sociale, nga 12 projektligje të planifikuara, janë miratuar katër ligje apo 33% e programit. • Projektligji për Skemën e Ndihmës Sociale ka pasur afatin 20 qershor të këtij viti, nuk është miratuar. • Projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, nuk është miratuar; • Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk është miratuar; Pra, gjithçka që ndërlidhet me pensionistët, me qytetarët në nevojë asgjë nuk është bërë. A e ka penguar opozita në këto dështime? Qe tri vjet e gjysmë e presim ligjin për sigurime shëndetësore. Ka pasur të vijë më 28 qershor, nuk ka ardhur”, ka thënë ai.

“A është kjo Qeveri që fliste për banim social? Ja projektligji për banim social nuk ka ardhur në Kuvend. Asgjë s’ka bërë qe tri vjet e gjysmë. Kjo Qeveri ka dështuar në të gjithë sektorët. Besimi i qytetarëve është tradhtuar”, ka deklaruar Tahiri.