Sveçla: Të gjithë të dyshuarit për sulmin e Banjskës janë futur në sistemin e INTERPOL-it
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten vonë se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarreste.
Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, tha Sveçla.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, shkroi Sveçla të premten në Facebook.