Sveçla: Serbia në panik, “Shkolla Ruse” për destabilizim të Kosovës po dështon

Sveçla: Serbia në panik, “Shkolla Ruse” për destabilizim të Kosovës po dështon

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia është në panik, pasi sipas tij, “Shkolla ruse” për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështon.

Sveçla tha se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës, duke kombinuar propagandën, operacionet subversive e ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.

“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon”.

“Dështuan në arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri; Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;  Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese”.

“Dështuan në synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve; Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës; Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes strukturave të sigurisë së Serbisë; Shfrytëzimit ë individëve me orientim radikal (fetar) dhe grupeve kriminale në rajon”, shkroi Sveçla.

Tutje, Sveçla tha se Serbia ka dështuar edhe në fushatat e orkestruara kinse për “spastrim etnik”, “krizë humanitare”, “sulme ndaj serbëve”, “kërcënim nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’”.

Ai përmendi edhe dështimin, sipas tij, së fundi të Serbisë, me bllokimin e pikave kufitare përmesgrupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste të sponsorizuara nga shteti.

“Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cenohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim”, tha ai.