
Supremja refuzon ankesën e PDK-së; në shqyrtim edhe dy ankesa
Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi të hënën një ankesë të Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke e konsideruar si të pabazë.
Zyrtarë të kësaj gjykate thanë për Radion Evropa e Lirë se, në shqyrtim e sipër, i kanë edhe dy ankesa, vendimi për të cilat “do të merret brenda afatit ligjor”.
Përveç PDK-së, në këtë gjykatë u drejtuan më 21 mars edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim.
Kjo, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i refuzoi ankesat e tyre si të pabaza.
Nga dita e pranimit të ankesave, Supremja i ka 96 orë kohë për të marrë vendimin.
Ankesa të tjera në PZAP nuk ka – “janë shqyrtuar të gjitha”, tha për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të PZAP-së, Tefik Mahmuti.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të anulohen rezultatet e votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatët e saj, duke pretenduar se ka pasur “vjedhje industriale të votave”.
Një kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës nga Prizreni tha se ka pranuar informacione nga tre qytetarë, se në një vendvotim në këtë komunë, ata kanë votuar për të, por kandidati ka marrë vetëm një votë.
Koalicioni PDAK-LPB, në anën tjetër, tha se kërkon anulimin e 211 votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI), të dërguara me postë, rinumërimin e disa votave dhe anulimin e disave në komunat ku nuk ka fare banorë të komunitetit ashkali.