
Supremja hedh poshtë kërkesën e PDK-së për rivotim në Mitrovicë të Jugut
Gjykata Supreme e ka refuzuar si “të pathemeltë” kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për urdhërimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të organizojë rivotim për zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Jugut.
Supremja tha se “duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik” të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, u tha në vendim.
PDK-ja i ishte drejtuar Supremes më 16 nëntor, pasi PZAP-i ia refuzoi kërkesën për rivotim në Mitrovicë të Jugut.
Garën për Mitrovicën e Jugut e fitoi në balotazh më 9 nëntor Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, kundër Arian Tahirit të PDK-së, me një diferencë prej mbi 2 mijë votash.
