HomeSportSuperylli Yamal flet për lëndimin që ia rrezikoi Botërorin

Superylli Yamal flet për lëndimin që ia rrezikoi Botërorin

spot_img

Ylli i Barcelonës dhe i Spanjës, Lamine Yamali, ka pranuar se kishte frikë se mund ta humbiste Kupën e Botës pasi u lëndua në ndeshjen kundër Celta Vigos në prill.

18-vjeçari pritet të jetë një nga figurat kryesore të Spanjës në Botëror, por aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim në kofshën e pasme (hamstring), i cili me shumë gjasa do ta lërë jashtë ndeshjes së parë kundër Kepit të Gjelbër.

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, deklaroi pas publikimit të listës së lojtarëve se ata që nuk do të jenë gati për ndeshjen e parë do të rikthehen për sfidën e dytë kundër Arabisë Saudite.

Megjithatë, ekzistojnë dyshime se Yamali mund të mungojë edhe në atë takim.

Duke folur për “Marca” nga grumbullimi i kombëtares, ai tregoi momentin kur kuptoi se ishte lënduar.

“Po, e mbaj mend momentin kur u lëndova. Po lutesha brenda vetes që të mos ishte asgjë serioze, vetëm një ngërç apo diçka e tillë, sepse Kupa e Botës ishte shumë afër. E dija se bëhej fjalë për një dëmtim në hamstring, diçka që nuk më kishte ndodhur kurrë më parë, por nuk dukej si një problem i vogël. Kisha frikë se ishte serioze dhe veçanërisht kisha frikë që, edhe nëse nuk ishte serioze, mund të pësoja një rikthim të dëmtimit dhe të humbisja Kupën e Botës”, tha ai fillimisht.

Megjithatë, Yamali pranoi se periudha e rikuperimit mund ta ndihmojë fizikisht përpara turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Është e vërtetë që të luash në një Kupë Bote të jep energji të veçantë. Mendja funksionon sikur nuk ke luajtur asnjë ndeshje gjatë sezonit. Jam shumë i emocionuar për debutimin tim”, shtoi ai.

I pyetur për presionin që e shoqëron si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, ai tha se kjo nuk e shqetëson.

“Më pëlqen. Kur standardet që vendos për veten janë më të larta, edhe niveli yt rritet. Nëse standardet e mia do të ishin si të çdo lojtari tjetër, ndoshta nuk do të luaja në nivelin ku jam sot. E shoh si një sfidë dhe e shijoj shumë”, u shpreh ai.

Ai shtoi: “Në mendjen time duket sikur kam 10 vjet që luaj futboll, por në realitet janë vetëm tre. Katër vite më parë luaja me këta njerëz në qendrën sportive. Tani, një djalë që luante me ty vetëm tre vite më parë do të luajë në Kupën e Botës. Është diçka e çmendur, vërtet e çmendur”.

Lamine Yamali nuk është shqetësimi i vetëm për Spanjën.

Edhe Nico Williams po rikuperohet nga një dëmtim pas një sezoni të vështirë, ndërsa Mikel Merino sapo është rikthyer nga një mungesë e gjatë dhe tashmë është në dispozicion për të luajtur./GazetaExpress/

Lajmet e Fundit

Baton Haxhiu: Besoj se Uran Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së, gara do të jetë mes tij dhe Enver Hoxhajt

Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Pressing” se beson që Uran Ismaili do...

Kurti takon Kosin në Mal të Zi, flasin për anëtarësim në BE

Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal...

Kosova U15 në Baku për FIFA U-15 World Cup & Festival

Kombëtarja e Kosovës U15 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në Baku të Azerbajxhanit,...

Shiroka Pula takon ipeshkvin Dodë Gjergji, vlerëson kontributin e Kishës Katolike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin...

Më të lexuarat

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...

DEKLARATË PËR TA ZGJATUR JETËN E DHOMAVE SPECIALE

Shkruan: Hisen Berisha (Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te...