Sulmi i armatosur në Pragë, Ambasada e Kosovës del me njoftim
Ambasada e Kosovës në Pragë ka reaguar pas sulmit të armatosur në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin e Karlit, në Pragë, ku 10 persona kanë humbur jetën.
Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, pas këtij rasti.
“Pas raportimeve për një sulm të armatosur në qendër të Pragës, përkatësisht në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin e Karlit. Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
“Ju lutemi kontaktoni Ambasadën në +420 257 217 775 për çdo kërkesë për ndihmë konsullore”, thuhet në njoftim.
Dhjetë persona janë vrarë dhe nëntë janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
I vdekur është edhe sulmuesi. Policia çeke ka thënë ai është eliminuar.
“Janë 11 persona të vdekur, përfshirë sulmuesin, nëntë të plagosur rëndë, 4-5 të plagosur lehtë. Numrat mund të ndryshojnë” ka thënë emergjenca përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Ministri i Brendshëm çek Vit Rakushan, ka thënë për mediat çeke se ka të vdekur, por se nuk mund të spekulojë për shifrën përfundimtare.