Sulmet izraelite vrasin të paktën 11 palestinezë në Gazë

Sulmet izraelite vrasin të paktën 11 palestinezë në Gazë

Nga dy sulme izraelite, që shënjestruar furnizimet e ndihmës, janë vrarë të paktën 11 palestinezë në Gazë, thanë mjekët, teksa tanket izraelite po vazhdojnë të avancojnë në Rafah, qytetin më jugor të Rripit të Gazës.

Një sulm ajror goditi një qendër për shpërndarjen e ushqimeve në Qytetin e Gazës, afër kampit të refugjatëve Shati, duke vrarë tre persona. Sulmi i dytë, afër qytetit Bani Suhaila në jug të Rripit të Gazës, vrau të paktën tetë persona, përfshirë edhe rojet që po shoqëronin kamionët me ndihma, thanë mjekët.

Ende nuk ka ndonjë koment nga Izraeli, i cili mohon se sulmon vendet ku ndodhen ndihmat humanitare dhe akuzon Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se po dëmtojnë civilët duke operuar në mesin e tyre.

Ndërkaq, gjatë natës sulmet izraelite ndaj një qendre shëndetësore vranë drejtorin e Departamentit të Emergjencave të Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës. Ushtria izraelite tha se në sulm u vra një komandant i lartë dhe i armatosur i Hamasit.