
Suhareka merr një pikë në “Fadil Vokrri”, Gjilani fitoi në “Zahir Pajaziti”
Sot në kuadër të javës së 19-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, u zhvilluan dy ndeshje interesante.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra e Prishtinës dhe ajo e Suharekës ndanë pikët në një barazim 2-2. Leotrim Kryeziu kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 37-të, ndërsa Suhareka barazoi në minutën e 44-t me autogolin e Ardian Limanit.
Në pjesën e dytë, Mevlan Zeka e çoi Suharekën në epërsi në minutën e 56-të, por Leotrim Kryeziu shënoi golin e dytë personal dhe të barazimit për Prishtinën në minutën e 80-të. Pas këtij barazimi, Prishtina renditet e katërta me 28 pikë, ndërsa Suhareka e pesta me 26 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Gjilani arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Llapit me rezultatin 0-1.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Sabit Bilali në minutën e 61-të. Llapi pati shumë raste shënimi por nuk arriti të gjejë rrugën e golit.
Me këtë fitore, Gjilani ka 24 pikë dhe renditet në mesin e tabelës, ndërsa Llapi ka vetëm 18 pikë dhe është parafundit.