Studentët shfaqin vizionin e tyre për të ardhmen e medias në Kosovë

Studentët shfaqin vizionin e tyre për të ardhmen e medias në Kosovë

Kjo u bë gjatë një tryeze të diskutimit të mbajtur sot nga Departamenti i Gazetarisë – UP, në kuadër të projektit “Media2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, me ç’rast studentët lansuan fushatën për të ardhmen e medias për vitin 2040.

Hapjen e diskutimeve të tryezës i bëri koordinatori i projektit për Kosovë, profesori Alban Zeneli, i cili falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij projekti deri në këtë fazë, e në veçanti, përgëzoi studentët për inputet e dhëna gjatë hulumtimit.

Në anën tjetër, Beneta Buja, studente e vitit të dytë, tregoi për përvojën e saj dhe të studenteve të tjera, pjesëmarrëse në këtë projekt. Ajo ka thënë që kjo përvojë ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive të saj dhe kolegëve të tjerë për aspekte të ndryshme të medias. Sipas saj, projekte të tilla janë dobiprurëse për studentët.

Tryeza ka vazhduar me paraqitjen e gjetjeve nga hulumtimi i bërë rreth gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve. Këto të dhëna u prezantuan nga profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj. Teksa foli për metodat, faktorët dhe komponentët e tjera të hulumtimit, ajo theksoi që nga hulumtimi ka rezultuar që 91% e gazetarëve kanë përjetuar gjuhë të urrejtjes gjatë karrierës së tyre.

Projekti “Media2040” synon të fuqizojë lirinë e shprehjes dhe bashkëpunimin në rajon, duke bërë që profesorë dhe studiues të medias nga gjashtë universitete të rajonit të bashkëpunojnë në realizimin e tij.

Media2040 është mbështetur nga Embassy of the Netherlands in Kosovo, përmes Fondit Rajonal për Bashkëpunim, programi MATRA.