Strukturat paralele largohen nga fabrika e ujit në Zubin Potok

Strukturat paralele largohen nga fabrika e ujit në Zubin Potok

Të enjten është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook”.

“Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë. Kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore. Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional. Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. “Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka thënë Rizvanolli.