“Strukturat e PDK-së kudo nëpër Zvicër janë shembull i organizimit në mërgatë”
Në takimin e përbashkët me kryesinë e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër dhe me kryetarët e nëndegëve në këtë shtet, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u ka shprehur mirënjohjen për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të tyre në shpalosjen e vizionit të PDK-së për të ardhmen e Kosovës dhe hapësirën që i është besuar mërgatës për të kontribuuar në këtë drejtim.
“Strukturat e PDK-së, kudo nëpër Zvicër – që janë shembull i organizimit në mërgatë, nga shtatori e deri më tani kanë zhvilluar mbi 100 takime dhe kanë organizuar tubime me bashkatdhetarët duke e shumëfishuar mbështetjen e mërgatës për Partinë Demokratike të Kosovës. Në pajtim me vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues, prioritet i yni është mobilizimi i të gjitha strukturave partiake për zgjedhjet parlamentare, për t’i dhënë fund keqqeverisjes, për ta rikthyer besimin e qytetarëve dhe për t’i dhënë vendit një Qeveri të re që e rikthen Kosovën në binarët e zhvillimit, integrimit dhe perspektivës për të gjithë”.
“Faleminderit për secilin aktivitet, që me kaq vullnet dhe përkushtim po e bëni për Kosovën dhe PDK-në. PDK po rritet. PDK po fuqizohet. PDK po rikthehet!”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.