Struga shpallet për herë të dytë radhazi kampione e Maqedonisë së Veriut
Struga shpallet kampione e Maqedonisë së Veriut për të dytin vit radhazi. Struganët triumfuan 0-2 në derbin e shqiptarëve përballë Shkëndijës së Tetovës, duke siguruar matematikisht vendin e parë falë diferencës prej tri pikësh ndaj kuqezinjve dhe avantazhit në ndeshjet direkte (dy fitore dhe një humbje).
Në ndeshjen e zhvilluar në Tetovë, struganët shënuan nga një gol në çdo pjesë, me autorë dy ish-futbollistë të Shkëndijës, Besart Ibraimi dhe Radeski.
Në fundin e pjesës së parë, Ibraimi realizoi një gol fantastik me një goditje të fortë nga jashtë zonës.
Golin e dytë e shënoi Radeski në pjesën e dytë, duke përfituar nga gabimi i mbrojtjes. Përballë portierit goditi saktë në cepin e portës, me topin që përfundoi në rrjetë.
Struga u shpall kampione edhe falë barazimit të Shkupit 0-0 përballë Brera Strumicës.