Stoltenbergu: NATO-ja do paqe në Kosovë e Bosnjë
Edhe 2024-ta do jetë vit i vëmendjes së plotë të NATO-s për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës-Veri Atlantike, të premten ri-theksoi zotimin e tij, duke thënë se rajoni ka rëndësi të veçantë për NATO-n.
Jens Stoltenberg, pohoi se në vazhdimësi po vlerësojnë sipas tij ndonjë nevojë për atë që e quan rregullim të pranisë në terren.
“Ne ishim shumë të shqetësuar kur pamë një rritje të dhunës dhe tensioneve gjatë vitit të kaluar, me disa incidente fort serioze, sidomos në Kosovë. Kjo na dërgoi te vendimi i komandantëve tanë ushtarak, që të rrisim misionin tonë paqeruajtës KFOR, me 1000 trupa shtesë. NATO-ja duhet të jetë në gjendje që të siguroj se ne po kryejmë punë sipas mandatit të OKB-ës, që të sigurojmë stabilitet dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitet në Kosovë”, tha Stoltenberg.
Shefi i NATO-s bëri thirrje për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ai e quan si “rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme”.
Këto dhe tjera qëndrime sekretari gjeneral i dha pas takimit që e kishte me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.
“Në tashmë jemi shumë të pranishëm në Kosovë, dhe qëndrojmë të gatshëm që të forcojmë pozicionin tonë në Kosovë. Mendojmë se situata së fundmi është qetësuar, por siç e diskutuam ne jemi gati të ndihmojmë. Është në interesin tonë të thellë kombëtar që të kemi paqe në Kosovë, e njëjta vlen edhe për Bosnje Hercegovinën”, tha mes tjerash Spajiq, gjatë konferencës së përbashkët me Stoltenbergun, që e mbajtën në Bruksel, ku e ka selinë NATO-ja.